Nga konferenca për media, mbajtur më 6 gusht
Fjala e Puhie Demakut
Diaspora shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbijetesën
politike dhe ekonomike të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Ajo u kthye jo
vetëm në strehë për të përndjekurit politikë, gazetarët, artistët e
shkrimtarët, por financoi për vite, madje edhe dekada me radhë
ekzistencën ekonomike, politike dhe arsimin. Gjatë luftës në Kosovë,
diaspora dha një mbështetje të fuqishme duke vënë në shërbim resurse
njerëzore dhe materiale. Ndikimi i saj politik pas luftës është
reduktuar aq shumë, sa roli i saj tani është fare i parëndësishëm,
përveç në aspektin e remitancave, ku diaspora luan rol të fuqishëm në
stabilitetin socio-ekonomik të Kosovës. Përkundër angazhimit të madh
politik dhe mbështetjes financiare të pakusht të diasporës, ajo është
lënë pas dore nga të gjitha qeveritë e deritashme
Lëvizja VETËVENDOSJE! i kushton mërgatës një rëndësi të veçantë. Ne
konsiderojmë që mërgata e Kosovës ka një potencial shumë të madh për të
qenë dhe duhet të jetë pjesë aktive e shtetëndërtimit dhe zhvillimit të
Kosovës. Punonjësit, paratë e Kosovës e madje edhe njerëzit më të
arsimuar të Kosovës, profesionistët më të zotë të saj, sot ndodhen
kryesisht në mërgim.
Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që mërgata e Kosovës të kthehet nga
objekti në subjekt, si në vendin e prejardhjes ashtu edhe në vendin
mysafir, duke krijuar kushte që ajo t’i mbron interesat e saj, të
ndihmojë në zhvillimin dhe ndërtimin e vendit dhe të çmohet për punën e
saj.
E drejta e votës
Lëvizja Vetëvendosje e çmon diasporën si pjesë vitale të popullit
shqiptar dhe angazhohet që asaj t’i garantohen të gjitha të drejtat që u
garantohen qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vend. Ndër këto të
drejta ëshë edhe e drejta elementare demokratike, e drejta për të votuar
dhe e drejta për t’u zgjedhur. Deri më tani këto të drejta Qeveria e
Kosovës ia ka ofruar shqiptarëve në diasporën vetëm në kuptimin formal,
ndërsa ua ka ndaluar në kuptimin praktik. Këtë e vërteton më së miri
numri i votuesve nga diaspora që morrën pjesë në zgjedhjet e vitit 2010.
Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që të krijohen kushte ku qytetarët e
saj në ditën e zgjedhjeve do të mund të votonin në objektet fizike të
përfaqësive diplomatike (ambasada e konsullata), përmes një procedure të
ngjashme apo të njejtë me atë që zë vend në ditën e zgjedhjeve në
Kosovë. Kjo do të evitonte kosto shtesë për buxhetin e Kosovës, do të
garantonte të drejtën e votës dhe realizimin e saj sipas standardeve
demokratike dhe ligjore.
E drejta e përfaqësimit
Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që të sigurohen vendet në parlament
për përfaqësuesit e diasporës. Vetëm me një përfaqësim politik diaspora e
Kosovës mund t’i realizojë të drejtat e saj dhe t’i mbrojë interesat si
një pjesë e popullsisë së Kosovës me halle të veçanta.
Përveç kësaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! po ashtu angazhohet për
pjesëmarrje në institucione të përfaqësuesve të diasporës. Lëvizjes
VETËVENDOSJE! nuk do e kufizojë përfaqësimin e diasporës vetëm në
pozitën e kreut të ministrisë së diasporës.
Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për përfaqësimin sektorial të
diasporës në të gjithë sektorët e institucioneve tona (ministri,
diplomaci, agjenci ekzekutive të pavarura, etj), të cilat prekin direkt
ose indirekt në fushat e jetës së mërgimtarëve tanë. Kjo do të arrihet
përmes angazhimit të ekspertëve kompetentë si këshilltarë nga diaspora
në p.sh. ministrinë e arsimit, ministrinë e punëve të jashtme dhe atë të
brendshme, ministrinë e zhvillimit ekonomik, institutin e diasporës
etj, por edhe si përfaqësues politik të këtyre institucioneve.
Privilegje në investime
Rreth 45% të remitancave të dërguara në Kosovë nga diaspora jonë
shfrytëzohen për konsumim të përditshëm, për nevojat e përditshme
ushqimore dhe tjera. Vetëm 11% përdoren për investime në biznes.
Lëvizja VETËVENDOSJE! synon që të përmirësohet ky bilanc në favor të
investimeve, duke krijuar lehtësime për investime nga ana e diasporës në
Kosovë. Kjo do të sjellë përfitime për diasporën, sepse ata do të mund
t’i investojnë paratë e tyre në një ambient të sigurtë dhe të favorshëm,
duke zbutur edhe varshmërinë e familjeve të tyre në Kosovë nga
remitancat e për pasojë, përmes kësaj politike do të ndikohet
pozitivisht edhe në qëndrueshmërinë afatgjatë socioekonomike të vendit.
Ne besojmë se do të duhej të krijohet një zyrë e veçantë në
Ministrinë e Tregtisë, që do të merret vetëm me mërgimtarët tanë, që
dëshirojnë të investojnë në Kosovë për t’i udhëzuar ata dhe për t’i
ndihmuar me lehtësime për nisjen e biznesit.
Poashtu persona të veçantë do të angazhohen në ambasadat e Kosovës që
do të jenë në lidhje të drejtpërdrejt me Ministrinë e Tregtisë për t’iu
ofruar informata, udhëzime dhe ndihmë konkrete mërgimtarëve tanë në
vendet e tyre të qëndrimit, për mundësitë e investimit në Kosovë dhe
lehtësimit të regjistrimit të bizneseve nga vendi i qëndrimit të tyre.
Një prej lehtësimeve që Lëvijza VETËVENDOSJE! do të krijojë për
investuesit nga mërgata jonë është lirimi i tyre nga çfarëdo tatimi deri
në momentin e lëshimit të produktit të tyre në treg ose fillimit të
operimit të biznesit.
Fjala e Faton Topallit
Lëvizja VETËVENDOSJE! i definon çështjet të cilat kanë të bëjnë me mërgatën në tri fusha kryesore:
• Në raport me Kosovën
• Në raport me vendin ku jetojnë qytetarët e Kosovës në mërgim dhe
• Në raport me marrëdhëniet ndërshtetërore të Kosovës me shtetet në të cilat jetojnë qytetarët tonë.
Qeveria e Kosovës e ka reduktuar rolin dhe angazhimin e saj për
qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, duke e trajtuar problemin e
mërgatës si një çështje kulturore, e cila mund të mbështetet përmes
krijimit të dy tri qendrave kulturore dhe organizimit të disa takimeve
formale me ministrin e diasporës.
Kjo qasje politike, që trajton 30 % të shtetasve të Kosovës si
arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Turqisë apo çamët e Greqisë, flet për
një politikë që është larg realitetit me të cilin ballafaqohen
mërgimtarët tanë.
Nuk ka dyshim që një pjesë e mirë e mërgimtarëve shqiptarë është
integruar jashtëzakonisht mirë, ashtu siç nuk ka dyshim që edhe një
pjesë tjetër e mërgatës ka mbetur e pa u integruar dhe është kthyer në
një problem të madh si për vetveten, ashtu edhe për shtetet mikpritëse.
Kjo ka ndikuar që pikërisht kjo pjesë e qytetarëve të ketë probleme të
mëdha në punësim, që fëmijët e tyre të trashëgojnë varfërinë, të
dërgohen në shkolla për fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta, të
trajtohen si të sëmurë psiqikë e të diskriminohen ndonjëherë edhe në
shkollimin profesional, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre
nacionale. Ky është realiteti dhe ky realitet nuk trajtohet askund në
politikën qeveritare. Ky realitet nuk mund të ndryshohet as përmes
aktiviteteve kulturore as përmes takimeve të Ministrit të Diasporës me
mërgimtarë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që përmes dialogut ndërshtetëror të
krijojë kushte të favorshme për integrimin e qytetarëve të Kosovës, në
vendet ku ata jetojnë. Vetëm si qytetarë të integruar mirë ata mund t’i
shërbejnë zhvillimit të familjeve të tyre, zhvillimit të Kosovës dhe
zhvillimit të vendeve ku ata jetojnë.
Ky integrim, së paku për atë pjesë të mërgatës e cila ka vështirësi,
duhet të mbështetet nga shteti i Kosovës, ashtu siç kanë bërë edhe
shtetet tjera me probleme të ngjashme të migracionit. Ne e dimë nga
praktika e vendeve të tjera që kjo është e mundshme, që është e
realizueshme nga ana praktike dhe materiale dhe që nevojitet një ndihmë
fillestare e shtetit për t’i vënë në lëvizje mekanizmat e nevojshëm. Si
Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi një koncept të qartë për realizimin e një
politike të tillë dhe jemi të gatshëm ta implementojmë në praktikë. Aq
më shumë kur dihet që fjala është për interesa dypalëshe.
Karshi politikës së integrimit Lëvizja VETËVENDOSJE!, në konceptin e
saj për mërgatën, angazhohet për një dialog ndërshtetëror, i cili ka
për qëllim përmirësimin e pozitës strukturore të diasporës në vendet në
të cilat ajo jeton dhe kjo nënkupton çështjet që kanë të bëjnë duke
filluar nga rregullimi i të drejtës së qëndrimit e deri tek çështjet që
kanë të bëjnë me pensionet invalidore dhe ato të pleqërisë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta mbështesë mërgatën e Kosovës, të
organizohet për ta kthyer atë në një faktor relevant që mbron interesat e
saj, që mbron interesat e Kosovës dhe që kthehet në një urë miqësie mes
vendit ku jeton dhe Republikës së Kosovës. Vetëm një diasporë e
vetëdijshme politikisht, e organizuar në kuptimin shoqëror dhe me një
program të qartë politik mund të kontribuojë në zhvillimin dhe ndërtimin
e vendit dhe në mbrojtjen e interesave të saj.
Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që mërgimtarët në vendet ku jetojnë
të mbështeten nga shteti i Kosovës në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Deri më tani janë zhvilluar vetëm politika ditore, pa koncepte afatmesme
dhe afatgjata. Pa një studim të mirëfilltë për gjendjen e mërgatës të
ekspertëve të fushave të ndryshme nuk mund të ketë ruajtje përmbajtësore
të identitetit kombëtar.
Një fushë tjetër e rëndësishme për mërgatën nga pikëpamja e Lëvizjes
VETËVENDOSJE! janë marrëdhëniet ndërshtetërore të Kosovës me shtetet në
të cilat jetojnë qytetarët tanë.
Shteti i Kosovës e ka për obligim t’i mbështesë qytetarët e Kosovës
dhe t’i mbrojë të drejtat e tyre kudo që ata jetojnë. Kjo mbrojtje mund
të vie vetëm përmes marrëdhënieve bilaterale, të cilat rregullojnë
raportet mes dy vendeve për çështjet e emigracionit.
Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që në marrëdhëniet bilaterale me
shtetet në të cilat ka koncentrim të migracionit nga Kosova, të forcojë
pozitën e qytetarëve të Kosovës në këto vende dhe t’i mbrojë interesat e
tyre.
Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që para nënshkrimit të çfarëdo
marrëveshje bilaterale t’i ketë parasysh interesat e imigrantëve nga
Kosova dhe pasojat negative që mund të rrjedhin nga marrëveshjet e
tilla. Para nënshkrimit të çfarëdo marrëveshje bilaterale ajo do të
kërkojë mendimin e ekspertëve nga diaspora, për pasojat e mundshme të
marrëveshjes për qytetarët e Kosovës që jetojnë në atë vend.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
0 comments: on "Koncepti programor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për mërgatën"
Post a Comment